Dëmtimi i futbollistit të Apolonisë Shoshi, në ndeshjen e djeshme Lushnja-Apolonia do të bëhet objekt i gjykatave. Klubi i Lushnjës do të padisë në fillim të javës që vjen manipulimin që ka bërë klubi i Apolonisë mbi incidentin e ndodhur të shtunën në ndeshjen mes dy ekipeve.

Albert Sanxhaku: “Ndeshja është zhvilluar në kushte normale, nuk ka pasur tension absolutisht fare midis stafit në fushë dhe as jashtë fushe. Incidenti është midis tyre, kjo është vërtetuar nga raporti i informacionit që ka dhënë komisariati i policisë, por gjithashtu edhe nga të dërguarit e federatës. Pas fundjavës që vjen dy ditët e para të javës do të bëj dhe denoncimin tim, pasi është një modifikim që i bëhet ndeshjes.”

Sipas klubit myzeqar bëhet fjalë për një aksident, ndoshta një përplasje me njëri-tjetrin, ndoshta përplasje me rrethimin e hekurt të fushës. Pas shënimit të golit futbollistët e Apolonisë kanë festuar dhe Shoshi është dëmtuar në syrin e majtë.

Fierakët e kanë reklamuar një goditje me sende të forta nga tifozët lushnjarë. Lojtarit i është dhënë ndihma e parë dhe ai ka qëndruar në stadium për të ndjekur pjesën e dytë të ndeshjes.

Futbollisti nuk ka qenë në gjendje kritike, por në orët e pasdites së djeshme ai është shfaqur në ambientet e spitalit të Lushnjës dhe përsëri më pas të atij të Fierit.

Zyrtarët e klubit të Apolonisë e kanë konsideruar këtë një incident të rëndë të shkaktuar nga tifozët lushnjarë.

Albert Sanxahku: “Nuk ka të bëjë me tifozerinë me sportdashësit lushnjarë, pasi nga gëzimi emocional i tyre e kanë goditur në një vend ku ndodheshin tifozëria e Fierit dhe nuk ka pasur asnjë tifoz sportdashës nga Lushnja, pasi procedurat dhe rregullorja e zhvillimit të ndeshjes në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Presupozohet që sportdashësit ndodhen në krahun e majtë të tribunës në atë vend ku ka shkuar dhe futbollisti Shoshi i cili është dëmtuar në atë vend atje. Nuk është ndërhyrja e ndonjë sportdashësi nga Lushnja, as ndonjë mjet i fortë , as i ngurtë.”

Por përfaqësuesit e klubit të Lushnjës i quajtën këto pretendime si manipulime të pastra, ndoshta kjo edhe për të kundërshtuar humbjen e thellë që pësoi Apolonia në Lushnje./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe