Negociatat e vetë qeverisë shqiptare me atë greke, por dhe presioni i ushtruar nga Brukseli ndaj Athinës, për të hequr dorë nga bllokimi i procesit të integrimit pas arrestimit të Fredi Belerit,  duket se ka dhënë rezultate.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani pohon se fundi i Shtatorit është një afat real për të mbajtur Konferencën e Dytë Ndërqeveritare, që do të shënojë hapjen e kapitullit të parë të negocimit për anëtarësimin në BE.

“Angazhimi ka qenë diskret, jo publik. Jam shumë optimist që kjo vjeshtë do çojë shumë gjëra përpara pasi momente të tilla janë aksidente që thjesht na bëjnë më të vëmendshëm për mënyrën si duhet të përgatitemi në negociata”, tha Hasani.

Hasani komentoi dhe këmbënguljen e qeverisë Kurti edhe pse duket se ka kundër gjithë aleatët, për të hapur urën mbi lumin Ibër. Sipas kryediplomatit shqiptar, qeveria e Kosovës nuk duhet të shmangë konsultimin me qeverinë shqiptare kur ka vendimmarrje të tilla kaq të rëndësishme.

“Gjithmonë kemi thënë motrave dhe vëllezërve tanë në Prishtinë që gjithë hapat që do të ndërmarrin duhet t’i diskutojnë, debatojnë dhe negociojnë me vendet dhe organizata që e kanë bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur siç është sot, dhe këtu hyn dhe Shqipëria”, tha Hasani.

E duke folur për Kosovën, Hasani siguron se axhenda e politikës së jashtme të Shqipërisë ka në krye të saj Kosovën.

Mungesa e përfaqësuesve të qeverisë Kurti gjatë Konferencës së Ambasadorëve ku ishin të pranishëm përfaqësuesit shqiptarë politikë të Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi, Hasani thotë se ishte për shkaqe objektive, por zbulon se homologia e tij Gërvalla i ka kërkuar takim të hënën gjatë samitit të Sllovenisë.

“Përfaqësimi nuk ishte ai që prisnim, por unë do të takoj ministren Gërvalla ditën e hënë”, tha Hasani.

Në bashkëbisedimin me gazetarët, Hasani pohoi vështirësitë që kanë negociata me Greqinë për njohjen e pensioneve, edhe pse pala shqiptare e ka përfunduar të gjithë procesin teknik.

Tv Klan