Sefedin Çela: “Tërheqim vëmendjen e të gjithë operatorëve që këta precedentë që po gjejnë terrenin në klimë jo të zakonshme si edhe transmetimet e paautorizuara, pa të drejta transmetimi mund të çojnë shumë mbrapa një proces që ka filluartë paktën në fushën e të drejtave të transmetimit. Absolutisht pasojat do t’i vuajnë që të gjithë. Do t’i vuajnë, jo vetëm ata që dëmtohen direkt, por të gjithë janë të dëmtuar nga kthimi i këtij procesi, e kësaj gjëje të turpshme që quhet vjedhje e programeve dhe dëmin më të madh absolutisht do ta kenë mediat, por do ta ketë edhe opinioni publik, që tashmë është mësuar që t’i serviret një sërë programesh të larmishme cilësore dhe përpjekjet e krijuesve të operatorëve që tashmë janë në treg.”

Gazetarja: “Zoti Çela kompania “Digitalb” ka zaptuar 4 banda UHF në mënyrë të paligjshme. Cilat janë masat që ka marrë KKRT-ja për këtë shkelje?”

Sefedin Çela: “Ne jemi shprehur qartë që ai subjekt nuk ka aplikaur fare në KKRT-ë dhe është regjistruar si një shërbim që s’ka të bëjë me rregullat që përcakton ligji për radiotelevizionin publik dhe privat. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja e reagimit të KKRT-së, sepse ky rregullator, sipas ligjit, administron gjithë spektrin e frekuencave për transemtimet radiotelevizive. Por KKRT-ja për hapa të mëtejshme ka nevojë për vendimmarrje, e dyta do mirëkuptimin e ligjvënësve që të kuptojnë që kjo fushë e re, kjo teknologji e re kërkon një studim, kërkon një mbështetje ligjore të plotë, e cila duhet bërë me transparencë, me oponencën e komunitetit të mediave në radhë të parë, dhe strukturave të certifikuara, specializuara ndërkombëtare si rregull, sepse bëhet fjalë, jo për një eksperiment të ri, por për një të ardhme të mediave elektronike të cilat kanë impakt të gjerë dhe te qytetarët.” /tvklan.al