Lajme Arkiva 2003

Inva Mula live në Butrint do të ketë edhe surprizat e veta këta vit kështu përkrah sopranos së njohur shqiptare me famë botërore do të shfaqet edhe një tjetër emër i njohur i muzikës operistike tenori grek Mario Franguolis, i cili nëpërmjet të tjerëve do të përpiqet të interpretojë edhe këngë shqiptare siç është kënga “Lule Bore”.

Ndërkohë para publikut ai do të shpalosë edhe krijimtarinë e kompozitorit të famshëm grek Theodorakis. Edhe njëherë në këtë aventurë në qiell të hapur. Sopranoja i njohur do të shoqërohet nga dirigjenti francez Zheron Pilmo i cili ka mbërritur menjëherë në Shqipëri pas produksionit të suksesshëm të “Dasma e Figaros”, në një nga teatrot më të njohura franceze.

Ai tashmë ka nisur punën me orkestrën filarmonike të Teatrit të Operas dhe të Baletit dhe është shprehur shumë i kënaqur nga puna me orkestrantët shqiptarë. 

Inva Mula: Kam dëshirë të vazhdojë në gjithë këtë aktivitet timin internacional, pikërisht nga ato mbushjet e emocioneve që unë ndiej në Butrint, prandaj ajo aventurë e vogël që filloi në fillim u kthye në një domosdoshmëri të planeve të mia dhe kjo domosdoshmëri kthehet në një realitet me koncertin numër dy që ne do të bëjmë në Butrint. Do t’ju thoja që prej kohësh unë e kisha përcaktuar këtë datë dhe nuk mend se në asnjë moment që do ta ndryshoja me asnjë impenjim tjetër shumë të rëndësishëm. Dhe t’ju them të drejtën pikërisht në këtë datë më janë bërë oferta në teatrot më të rëndësishëm dhe u kam thënë jo me gojë të plotë. Nuk jua them këtë duke e hequr një pjesë të modestisë sime, përkundrazi jua them për arsye të rëndësisë që unë i kam dhënë këtij koncerti.

Ashtu siç është bërë e ditur këtë herë produksioni i këtij koncerti është marrë përsipër nga Ardit Gjebrea dhe Vera Grabocka. Ndërkohë për realizimin e tij kanë ndihmuar Ministria e Kulturës Rinisë dhe Spoteve dhe Televizioni Kombëtar Klan.

Ardit Gjebrea: Ne kemi shumë pak vlera të vërteta, reale, ne stisim vlera, për të cilët duhet të na vijë turp, të ulim kokën dhe të mos ju shërbejmë, ndërsa vlerat që ne duhet t’ju shërbejmë ja ku është njëra prej tyre prandaj faleminderit! Derisa të kemi njerëz si Inva Mula unë personalisht jam gati që të shërbej e të bëj jo vetëm producentin, por edhe punëtorin e skenës siç do ta bëj në Butrint për çdo nevojë që do të ketë.

Repertori që do të interpretohet nga sopranoja në këtë koncert është përzgjedhur me kujdes nga ajret më të njohura të muzikës operistike botërore, por do të ketë edhe elemente të muzikës shqiptare . madje është menduar që koncerti të nisë pikërisht me një ajre shqiptare  dhe në vazhdim Mula do të interpretoj edhe një ajre të kompozuar nga babai i saj Avni Mula, koncerti do të transmetohet drejtpërsëdrejti nga Butrinti ditën e shtunë nëpërmjet Televizionit Kombëtar Klan./tvklan.al