Brenda dy vjetësh përfundon rikonstruksioni i plotë i hidrocentraleve mbi Kaskadën e Drinit. Gjatë një konference për shtyp të KESH-it dhe të donatorëve të huaj u deklarua se projekti i iniciuar që në vitin ‘97 ka ecur me ritme të kënaqshme vetëm vitet e fundit. Kostoja e këtij projekti arrin në 52 milionë euro.

Andis Harasani: “Projekti deri tani ka shkuar pas një vonese të pajustifikueshme nga viti ‘97 deri në vitin 2002. Ne jemi duke nxjerrë dhe përgjegjësitë për këto vonesa. Nga viti 2002, nga shtatori i vitit 2002 projekti ka filluar të shkojë sipas afateve dhe opinioni i përgjithshëm i konferncës ishte që çdo gjë po shkon siç duhet, por duhet më shumë punë dhe duhet që të kapim atë kohën e humbur.”

“Afro tre vjet më parë projekti i rehabilitimit të Kaskadës së Drinit ishte në një pikë kritike. Tashmë mund të themi se investimet austriake, italiane, zvicerane do të shohin rezultate dhe projekti do të ecë përpara.”

Hidrocentralet mbi kaskadën e Drinit, që furnizojnë vendin në masën 99%, i janë nënshtruar për herë të parë këtij lloj rikonstruksioni që prej kohës kur janë ndërtuar. /tvklan.al