Fatmir Mediu: “Nëse prokuroria do ta kishte kërkuar heqjen e imunitetit tim, që ditën e parë pas ngjarjes do ta kisha pranuar këtë kërkesë pa asnjë koment dhe pa as një hezitim, qoftë edhe pa asnjë argumentim nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. E kam pranuar të lë imunitetin me vullnet të plotë që ditën që ka ndodhur ngjarja dhe e pranoj ta lë imunitetin edhe sot, jo për shkak të një kërkese të prokurorisë, e bëj sepse kështu mbroj nderin dhe dinjitetin tim.”

Kështu ka deklaruar ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu në seancën dëgjimore të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve. Në një mbledhje të gjatë, Mediu dha sqarime të hollësishme dhe të dokumentuara lidhur me procedurat e ndjekura për të lejuar firmën amerikane SAC, që me vendim qeverie të demontonte municione në repartin ushtarak të Gërdecit.

Ndërkohë edhe pse gjatë këtyre ditëve opozita ka kërkuar me ngulm mbledhjen e Këshillit të Rregullores, i pranishëm në seancën dëgjimore ishe vetëm deputeti Besnik Dervishi.

Fatmir Mediu: “Nëse lexoni kërkesën e prokurorisë në përmbajtjen e saj nuk do të gjeni as edhe një provë të vetme qoftë edhe fare indirekte që unë në cilësinë e ministrit të kemi zgjidhur procesin e demontimit nisur nga interesa të tjera përveç atyre që përmenda më sipër si dhe i detyruar nga ligji dhe përgjegjësia ime si ministër. Në lidhje me akuzën e nxitjes së procesit të demontimit për interesa përfitimi të subjekteve private, prokuroria nisur nga qëllime jo të qarta në kërkesën e vetë bën këto përpjekje:

a. Një paraqitje jo të vërtetë të fakteve.

b. Interpretim të dhëna dhe fakte në mënyrë jo logjike dhe të drejtë.

c. Anashkalon disa fakte dhe jo se nuk thellohet në analizën e tyre.”

Ndërkaq Mediu dorëzoi një material të plotë prej 8 volumesh me dokumente të reja të panjohura më parë nga Këshilli i Mandateve, pasi nuk janë të përfshira në dosjen e dorëzuar nga organi i akuzës. Duke paraqitur këto fakte ish-ministri nënvizoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk ishte anashkaluar në asnjë rast.

Fatmir Mediu: “Janë rreth 30 dokumente, akte në kontratën e parë ku përfshihen Forcat e Armatosura dhe ministri i Mbrojtjes nuk ka firmosur më shuam se 7 dokumente prej tyre. Forcat e Armatosura nuk janë shmkangur nga vendimmarrja në proces, bile përkundrazi ato kanë përgatitur vendimmarrjen e ministrit dhe më pas e kanë zbatuar atë pa asnjë vërejtje.”

Astrit Bushati: “A janë pasqyruar në komunikatat ditore të Shtabit, transporte kaq të mëdha të municioneve, nëse jo a thua janë fshehur apo?”

Fatmir Mediu: “Çështja e transportit ka dy elemente e para njëherë, transporti i municioneve nuk është një transport çfarëdo dhe siç ka theksuar Shtabi i Përgjithshëm në memon e tij të datës 28 dhjetor, ai e ka marë përsipër transportin dhe sigurinë sepse transporti ka disa standarde teknike dhe element të ruajtjes, se pastaj prokuroria do të thoshte ku shkuan kamionët. Transporti ka qenë ditorë dhe qendra e operacionale e Shtabit, bën një raport ditor të klasifikuar për çdo lëvizje që ndodh në forcat e armatosura.”

Pas njohjes së këtyre materialeve shtesë nga Mediu kryeparlamentarja Topalli tha, se një pjesë e tyre i ishin fshehur kuvendit nga ana e prokurorisë.

Jozefina Topalli: “Unë do ju vë në dispozicion 8 volume me shkresa dhe dokumentacione një pjesë e madhe prej të cilave nuk kanë ardhur nga prokuroria, nuk i ka sjellë prokuroria për t’i vënë në dispozicion të parlamentit, i janë fshehur prej parlamentit.”

Tashmë këshilli i imuniteteve do të mblidhe për të diskutuar për hartimin e raportit përfundimtar që do t’i paraqitet seancës plenare lidhur me heqjen ose jo të imunitetit të zotit Mediu. /tvklan.al