Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi me 106 vota pro dhe 2 kundër, ndryshimet e dakordësuara mes palëve në kodin elektoral, atë për votën e diasporës dhe ndarjen e mandateve. Në debatin që zgjati për afro 6 orë, meraku më i madh i të zgjedhurve të popullit ishte formula e përdorur për listat e deputetëve, ku 1/3 e tyre do jetë e mbyllur dhe nuk do t’i nënshtrohet votws preferenciale.

Ndërsa 2/3 e saj e hapur, ku garuesit brenda secilës forcë politike do të luftojnë për të fituar qoftë edhe një votë më shumë, që u dhuron më pas edhe mandatin e deputetit. Në këtë mënyrë, çdo subjekt do të duhet të dërgojë dy lista në KQZ.

Pretendimeve së formula e përdorur po mbyll garën, përgjigjie u dha socialisti Damian Gjiknuri, i cili tha se në vititin 2021 vetëm 3 kandidatë thyen herësin, ndërsa me formulën e re të dakordësuar janë rreth 40 mandate në lojë.

Damian Gjiknuri: Edhe sikur të kemi listat 100%, e dini sa mandate do të ndryshonin në renditje, referuar rezultatit të 2021? Vetëm 34 mandate dhe nuk do kishim garanci për kuotat gjinore. Me sistemin e hapur në lojë, duke respektuar kuotat gjinore, do të ishin në lojë 22 mandate. Ndërsa sot kemi në lojë 40 mandate. Pra miti i mbylljes së konkurrencës rrëzohet me shifra.

Por ky qëndrim i Gjiknurit u kundërshtua me forcë nga deputetët e opozitës, të cilët më shumë sesa me kundërshtarin, “inatin” për ndryshimet në Kodin Zgjedhor e kishin me të vetët.

Dashnor Sula: Ka një listë, lista e ajkës së Berishës dhe lista e ajkës së Ramës. Do jetë lista e lëpirësve dhe e burrave që do futen si gra.

Bujar Leskaj: Nëse e votojmë këtë Kod me koalicionet bëhemi noterë të Ramës. PD nuk duhet të shndërrohet në kënetë për të pranuar kode zgjedhore që dëmtojnë opozitën. Ju elitat e PD do deklaroheni që do kandidoni në pjesën jofituese të listës, gracka ku shpirti juaj do kapet si laraska.

Fatmir Mediu: Nuk është 25%, mbyllja e listave është 80-90%. Është miopi nga ana e opozitës.

Të pakënaqurit nga radhët e opozitës i sfidoi Gazment Bardhi dhe Oerd Bylykbashi, të cilët edhe pse e cilësuan të paplotë reformën zgjehdore, u shprehën se ishin të detyruar të zbatonin vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gazment Bardhi: Nëse ishit kaq dashnorë të listave të hapura hiqni dorë nga mandati dhe lini ata që zgjedhjet e shkuara morën më shumë vota sesa ne. Cilido që është dashnor i votës e ka mundësinë të kandidojë si deputet i pavarur, të marrë votat dhe të vijë në Kuvend si vullnet i votës së qytetarëve.

Në kodin elektoral u përfshi edhe një amendament që mori firmat e 26 deputeteve, nga të dy kampet politike, sipas të cilit 1 në 3 kandidatë fitues nga lista e hapur, duhet të jetë grua.

Amendimet e reja të kodit elektoral i japin zgjidhje edhe votës së diasporës, ku çdo shtetas shqiptar që banon jashtë, qoftë rezident apo jo ka të drejtën e votës, me kushtin e vetëm që të ketë një adresë banimi.

Tv Klan