Lideri i Hezbollahut Hassan Nasrallah është vrarë. Kështu ka deklaruar ushtria izraelite pas një seri sulmesh në periferi të Bejrutit.

Në një reagim në rrjetet sociale ushtria shkruan Hasan Nasrallah nuk do jetë më në gjendje të terrorizojë botën. Ushtria kreu një sulm ajror në selinë qendrore të Hezbollahut në Dahieh, ku ishin mbledhur liderët e Hezbollahut.

Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, dhe komandatë të tjerë të Hezbollahut, u vranë gjithashtu nga ky sulm. Ndërkohë që nga Hezbollahu nuk ka ende një reagim.

Nasrallah nuk është shfaqur prej vitesh për shkak të frikës se mund të vritet nga Izraeli. Me lidhje të ngushta me Iranin, ai luajti një rol kyç në shndërrimin e Hezbollahut në forcën politike dhe ushtarake që është sot.

Hezbollahu, nën udhëheqjen e Nasrallah për më shumë se tre dekada, ka ndihmuar në stërvitjen e luftëtarëve të armatosur të grupit palestinez Hamas, si dhe milicitë në Irak e Jemen, sikundër ka marrë edhe raketa nga Irani që i ka përdorur kundër Izraelit.

Ndërkohe Izraeli vazhdon sulmet ajrore kundër Hezbollahut, teksa grupi militant hodhi dhjetëra raketa drejt Izraelit.

Mediat izraelite raportuan se vajza e Nasrallahut, Zainab Nasrallah, është vrarë. Një ditë më parë kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se pavarësisht bisedimeve nuk do të ndalën sulmet kundër Hezbollahut.

Klan News