Me nisjen e një faze të re të luftës, Izraeli ndërmori një valë të re bombardimesh në Libanin Jugor me qëllim për të shkatërruar infrastrukturën e Hezbollahut. Sulmi pason një breshëritë me dronë të lëshuar nga Hezbollahu dhe dy ditët e shpërthimit të pajisjeve komunikuese e radiomarrësve që lanë pas 37 të vdekur e mbi 3000 të plagosur. Për kreun e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, sulmet vdekjeprurëse izraelite kaluan të gjitha vijat e kuqe.
“Nuk ka dyshim se ne kemi qenë subjekt i një goditjeje të madhe sigurie e ushtarake e pashembullt në historinë e rezistencës dhe e paprecedentë në historinë e Libanit. Armiku doli përtej çdo kontrolli, ligji dhe morali. Sulmet mund të konsiderohen krime lufte ose një shpallje lufte”.
Ndërsa Nasrallah mbante fjalimin e tij televiziv, në Bejrut fluturuan ulët avionët luftarakë izraelitë. Kreu i Hezbollahut, u zotua për “ndëshkim të drejtë” pas sulmet dyditore. Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha vonë të enjten se Izraeli do të vazhdojë veprimet ushtarake kundër Hezbollahut.
“Në fazën e re të luftës ka mundësi të rëndësishme, por edhe rreziqe të konsiderueshme. Qëllimi ynë është të sigurojmë kthimin e sigurt të komuniteteve veriore të Izraelit në shtëpitë e tyre. Me kalimin e kohës, Hezbollahu do të paguajë një çmim në rritje.”
Ushtria izraelite tha vonë të enjten se goditi dhjetëra objektiva të Hezbollahut, duke përfshirë raketahedhës dhe depo armësh në jug të vendit. Kryeministri Benjamin Netanyahu që mblodhi rrethin e tij të ngushtë të ministrave për konsultime të enjten mbrëma, raportohet se ka marrë liri të pakushtëzuar për veprime ushtarake.
Klan News