Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një javë pas mbarimit të mandatit të komisionit dypalësh për reformën zgjedhore, ish-bashkëkryetari demokrat Jemin Gjana, nuk pranon të përmend fjalën sukses. Madje duke mos harruar të vlerësojë ndihmën e OSBE-së në këtë proces të vështirë, zoti Gjana ka përmendur çështjen e rikompozimit të KQZ, si dështimin më të madh të punës njëvjeçare të komisionit.

Jemin Gjana:- “Dua të deklarojë, se kanë mbetur pa zgjidhur dy çështje mjaft të rëndësishme, që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe moszgjidhja e tyre, e kthen gjithë punën e kryer me kokë poshtë dhe unë do të thosha, se e shpie në dështim punën voluminoze të bërë nga komisioni dypalësh. Kjo për faktin se KQZ nuk është zgjidhur në përputhje me standardet e përcaktuara nga komisioni i Venecias. Ne jemi përpjekur, që ky komision të mos mbetet i kontrolluar nga palët, kemi bërë gjithë përpjekjet, që të japim kontributin tonë, nuk kërkojmë që kontrollin e KQZ ta ketë opozita, por nuk do të lejojmë që kontrollin e KQZ ta ketë pushteti aktual. Fakti që KQZ, me ndryshimet që i kemi bërë kodit, i kemi dhënë shumë kompetenca, atëherë, çdo anësim i tij dhe çdo mbajtje nën kontroll i tij e degradon procesin zgjedhor”.

Megjithatë, demokrati Gjana nuk e quan çështjen të mbyllur. Edhe pse nuk do të jenë sërish nismëtarë për t’i kërkuar Kuvendit shtyrjen e mandatit për të katërtën herë, përfaqësuesit e opozitës presin që të arrihet në parlament, me iniciativën e socialistëve konsensusi për KQZ dhe më pas sistemin elektoral. Përndryshe ata kanë lënë të kuptohet, se pa zgjidhjen e këtyre dy çështjeve reforma zgjedhore do të jetë gjysmake dhe nuk do të arrijë të ofrojë një proces elektoral të pa kundërshtuar nga palët./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço