Gjiri i Kakomesë është pronë shtetërore dhe e mbrojtur nga ligji i turizmit. Ky është qëndrimi i kompanisë “Riviera,” përfaqësueses shqiptare të investitorit francez në fushën e turizmit “Club Mediterrane”, që ka marrë lejen për ngritjen e një fshati turistik në këtë zonë.

“ Në qoftë se do t’i hidhni një sy kësaj harte, rezulton që Gjiri i Kakomesë në vetvete ka një regjim juridik toke të tillë: shkurre, valanidh dhe kullotë. Ky është regjimi aktual, gjë që do të thotë që kjo është një pronë shtetërore me përdorues Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve dhe të kullotave. Konfirmoj që ligjërisht regjimi juridik i kësaj toke është një tokë shtetërore me zonë përparësi zhvillimit të turizmit dhe çdo tendencë tjetër për ta kaluar këtë tokë në regjime të tjera dhe për ta ndarë në mes fshatarëve do të krijonte një efekt negativ në zhvillimin e turizmit dhe në një projekt kaq të madh sikurse është edhe ky këtu.”

Investitorët shpjegojnë se në hipotekë kjo tokë, pronë rezulton shtetërore.

“Fakti që kjo tokë nuk mund të kalojë asnjëherë në pronësi të individëve të caktuar vërtetohet nga ky dokument që është një dokument totalisht ligjor i komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave datë 29.06.2004 ku nuk figuron në këtë shkresë, që është dhënë, nuk figuron asnjë regjistrim pronësie për zonën e Kakomesë në emër të individëve të ndryshëm.”

“Club Mediterrane” ka marrë leje për ndërtimin e një fshati turistik nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës. Kjo kompani ka një xhiro vjetore prej 1.6 miliardë eurosh dhe operon në aktivitetet turistike në 40 vende të botës. /tvklan.al