Plani për dekadën e ardhshme afron ekonomitë e rajonit më BE

20 miliardë euro investime do të bëjë gjatë dekadës së ardhshme Bashkimi Europian në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shuma bëhet e ditur nga mediat pranë Brukselit që kanë parë planin që pritet të publikohet këtë të martë nga Komisioni Europian dhe që ka si prioritet projektet që afrojnë edhe më shumë ekonomitë e vendeve të rajonit me njëra-tjetrën, por edhe me unionin.

Në projekt-dokument thuhet se kjo mund të arrihet përmes një angazhimi të fuqishëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor për zbatimin e reformave thelbësore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime.

Paketa po ashtu parashikon edhe fonde ndihmë për rajonin për kapërcimin e krizës së pandemisë së Covid-19. Ndër synimet e këtij plani është edhe ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor në kapërcimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara, ku përmendet normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimi me sukses të dialogut me ndihmën e BE-së.

Paketa po ashtu parashikon veç granteve të ofruara nga Bashkimi Evropian, edhe ndihma në uljen e kostove për investime publike dhe private për zvogëlimin në këtë mënyrë të rreziqeve për investitorët.

Tv Klan