Shifrat e turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri deri në mes Korriku janë shumë optimiste. Kjo tregohet dhe nga renditja që ka bërë Komisoni Europian i Udhëtimeve, të cilin e ka shpërndarë edhe kryeminsitri Edi Rama në rrjetet social, ku Shqipëria renditet e para, me 86% rritje të flukseve të udhëtimeve, ndërkohë që ka lënë mbrapa disa vende që kanë vite që operojnë në sektorin e turizmit, siç është Greqia, Turqia dhe Portugalia.  

“Ja dhe klasifikimi i Komisionit Europian të Udhëtimeve që tregon mbi bazën e fluksit të hyrjeve në vendet e europës, rritjen ose rënien e prurjeve të turistëve në secilin nga vendet, ku Shqipëria turistike konfirmohet përsëri si një histori e bukur suksesi.”

Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë gjatë një takimi që pati me kryetarët e bashkive tërhoqi vëmendjen për çmimet abuzive, sidomos në jug të vendit, dhe posaçërisht për Vlorën dhe Sarandën.

Sipas Ramës, e gjithë puna e mirë për të rritur imazhin e Shqipërisë dhe për ta kthyer në një destinacion të miliona turistëve mund të shkatërrohet, ndaj ka kërkuar një kujdes të madh.

Referuar shifrave zyrtare nga Janari deri në fund të Qershorit, Shqipërinë e kanë vizituar mbi 4.5 milionë turistë të huaj me rritje prej 34% më shumë se e njëjta periudhë e 2023.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se peshën kryesore të turistëve e zënë ata me kombësi europiane, dhe kryesisht ata Europa Jugore, ku përgjatë muajve Janar-Maj te 2024 u regjistruan mbi 2 milionë e 520 mijë shtetas të këtyre vendeve.

Shumica e këtyre turistëve e zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre jo vetëm për plazhet e bukura nga jugu në Veri, por edhe për turizmin historik, kulturor apo atë të aventurës.

Klan News