Pjesë e rëndësishme e turizmit në Shqipëri janë edhe zonat malore ku çdo vit e është shtuar interesi nga turistët.

Për këtë arsye Agjencia kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka hartuar dy projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me studimin, përmirësimin, mirëmbajtjen dhe markimin e shtigjeve.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Sipas kreut të qeverisë, projekti i parë do të shtrihet në shtegun “Theth-Valbonë” ndër më të frekuentuarit në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” me një gjatësi rreth 15 kilometra.

Në këtë shteg do të krijohen mundësi të reja për përshkrimin e tij, do të rritet siguria përmes markimit për stinën e verës dhe të dimrit, me sinjalistikë përkatëse, me vende pushimi apo do të krijohen pika panoramike si kubi që sheh nga Lugina e Thethit.

Një punë e konsiderueshme nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura do të bëhet edhe në shtegun prej 7 kilometrash i quajtur “Ish Rezervat deri në Liqenin e Bovillës, shumë pranë Tiranës, që frekuentohet gjatë gjithë vitit.

Në këtë shteg gjithashtu do të krijohen ballkone panoramike, pikë informimi, sinjalistikë përkatëse dhe markim për të ofruar orientimi dhe eksperiencë sa më cilësore për vizitorët.

Klan News