Këshilli Bashkiak i Himarës do të mblidhet sot për të votuar se kush do të jetë kryetari i komanduar i Bashkisë së Himarës.

Kjo vjen pas dorëheqjes së kryetares së komanduar Blerina Bala, e cila qëndroi në këtë detyrë për 2 muaj. Ajo paraqiti dorëheqjen të mërkurën dhe njoftoi se largohet nga detyra për arsye personale.

Bala mori detyrën e kryetares pas arrestimit të Jorgo Goros me akuzën e tjetërsimit të dy pronave. Ndërkohë kryetari i zgjedhur më 14 maj 2023 për bashkinë e Himarës Fredi Beleri ndodhet në burg për blerje votash.

Dy emrat që përfliten për t’u zgjedhur kryetar i komanduar janë dy nënkryetarët aktual të bashkisë, Pervin Gjikuria dhe Arqile Bollano. Ky i fundit ka qenë edhe kryetar i Partisë Socialiste në Himarë. /tvklan.al