Nga inspektimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Arsimit rezulton si institucioni që ka bërë shkeljet më të rënda gjatë periudhës janar 2002-tetor 2003. Nga 155 tendera të zhvilluara nga kjo ministri për rikonstruktim shkollash, gjatë kësaj periudhe, 33 rezultojnë me shkelje të rënda duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 67 milionë lekësh, 3.4 milionë lek të tjera llogariten si dëme ekonomike të shkaktuara nga përfitimet e paligjshme për dieta, paga, shpërblime të padrejta.

“ Në Ministrinë e Arsimit është konstatuar një dëm ekonomik rreth 70.4 milionë lek. Në ministri ka shku një grup kontrolli nga institucioni jonë i cili ka kontrolluar periudhën vitin 2002 deri më 30.10.2003.”

Për punën e mirë të bërë gjatë zhvillimit të tenderave në vitin 2003 ministri Memushi ka shpërblyer anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave me rreth 1.8 milionë lek. Nga 33 tenderat që rezultojnë me shkelje 12 prej tyre janë denoncuar dhe në Prokurorinë e Tiranës. Këto janë shkolllat për të cilat janë vërejtur abuzimet më të mëdha gjatë tenderave. Ministri i Arsimit Luan Memushi gjatë një konference të dhënë një ditë më parë deklaroi se raporti i Konrollit të Lartë të Shtetit është i njëanshëm dhe është hartuar nga kontrollorë që iu janë prekur interesat personale. Ndërsa, sipas përgjegjësit të sektorit të kontrolleve në KLSH Pjetër Beleshi, abuzimet e vërejtura janë ballafaquar me drejtuesit e Ministrisë së Arsimit.

Pjetër Beleshi: “Në përgjithësi, në përgjithësi, i kanë pranuar pjesën më të madhe të shkeljeve të proceduarve. Ka patur dhe probleme që ata nuk i kanë pranuar, por nuk kanë paraqitur mbështetje, argumenta ligjorë për t’i mbrojtur pretendimet e tyre.”

Sipas tij, asnjë nga inspektorët e KLSH-së nuk ka lidhje me akuzat e bëra nga Memushi.

Pjetër Beleshi: “I gjithë grupi i kontrollit, përpara sesa ka shkuar për të kontrolluar në këtë institucion, kanë deklaruar me shkrim, kështu është dhe procedura jonë sipas standardeve, kanë deklaruar me shkrim që nuk kanë konflikt interesash me institucionin që kontrollohej. Këto janë të dokumentuara në dosjet tona të kontrollit.”

Beleshi deklaroi se, në qoftë se ministri Memushi ka fakte edhe emra konkrete, duhet t’i drejtohet prokurorisë për t’i denoncuar. /tvklan.al