Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Komisioni po, ndërsa komisionerët nuk kanë pushuar këtë të diel. Shtrëngimi i ditëve për Sokol Olldashin do të thotë, më tepër punë. Ai mendoi që jashtë kryesisë së Kuvendit ku kryet seanca, të prezantojë dosjen e radhës përpara gazetarëve. Fasada, trotuare dhe punët rikonstruktuese gjatë kohës, kur Edi Rama ka qenë ministër kulture, për tre ministri.

Komisioneri Olldashi shpjegoi, se faza e dytë e punimeve është kryer nga firma shqiptare, e kostoja e saj ka qenë më e ulët. Sipas tij është krahasuar koha e restaurimit të zonjës Uruçi dhe Edi Ramës, pa i analizuar me çmimin e tregut.

Sokol Olldashi:- “Vlera reale e punimeve është 58.2% e fondit, vlera e vjedhur është 41.8. Në qoftë se e shtrijmë arsyetimin për tre ministri, që ka kontraktuar zoti Rama, në postin e Ministrisë së Kulturës, kemi në total vlera e paguar 670 milion e 590 mijë lekë të vjetra, vlera reale e punimeve 58.2%, 390 milion të vjetra, vlera e vjedhur 280 milion të vjetra. Theksojmë se edhe restaurimi i Ministrisë së Rendit dhe asaj të Punëve Publike është kryer në procedura jo transparente dhe me çmime mbi ato të tregut, që ne kemi testuar mbi disa zëra punimesh”.

Edhe komisionerët socialistë i janë përgjigjur kësaj dalje në publik me një tjetër deklaratë. Sipas dy prej anëtarëve, dy javë janë dëgjuar pretenca politike e anti-ligjore. Rendi i ditës me të cilin kërkohet të vazhdohet është miratuar nga të dyja palët, por opozita për ta po e shkel.

Musa Ulqini:- “Kërkojmë që të thirren në komision, persona në cilësinë e dëshmitarit, që kanë njohuri dhe mund të japin të dhëna, për çështjet objekt shqyrtimi. Së dyti, kërkojmë me këmbëngulje, që të thirren ekspertët ligjorë, të paanshëm, të njohur nga ligji si të tillë, për kryerjen e akteve të ekspertimit, për verifikimin në objekt të shkeljeve të pretenduara”.

Fatmir Xhafa:- “Kemi kërkuar akt-ekspertimi për ato objekte dhe për ato shkelje që ka pretenduar zoti Olldashi dhe komisionerët e tjera dhe njëkohësisht kemi thirrur po ata dëshmitarë, në këto parashtresa të bëra”.

Të dyja palët, herë bashkë dhe herë veç e veç, akuzojnë se po pengohet zbardhja e së vërtetës. Gjatë 9 ditëve të mbetura të këtij komisioni hetimor, pritet të arrihet konsensusi dhe vërtetësia, për të dalë me një raport të vetëm./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti