Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pyetjes lidhur me emrat e politikanëve që figurojnë debitorë të firmave piramidale, kryeadministratori i tyre Farudin Arapi, ka vendosur t’i përgjigjet me shkrim, në një nga seancat e ardhshme të komisionit hetimor për këtë çështje. Gjatë seancës, pothuajse të gjithë anëtarët e komisionit parlamentar, të drejtuar nga deputeti Arben Imami, kanë kërkuar të dinë emra konkret të cilët deri tani mbeten të pa konfirmuar nga administratorët e fajdeve, që disponojnë edhe listat përkatëse.

Zoti Arapi ka qenë i gatshëm të japë sot, shifrat lidhur me numrin e kreditorëve të firmave dhe shumave që ata kanë depozituar. Pak minuta pas largimit të zotit Arapi, ka raportuar për komisionin Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku.

Theodhori Sollaku:- “Mbi bazën e kallëzimeve të bëra nga organi i prokurorisë, kanë filluar procedimet në ngarkim të personave përgjegjës, kryesisht ngarkim të ish-administratorëve të shoqërive huamarrëse, duke i akuzuar për veprat penale të vjedhjes me anë të mashtrimit, vetëm ose në bashkëpunim me persona të tjerë, në bazë të neneve 143 dhe 25 dhe në një rast në bazë të nenit 143 dhe 28, për aq herë sa ka rezultuar me ekspertim numri i kreditorëve. Nga 25 shoqëri huamarrëse në administrim, në 21 raste është filluar procedimi penal dhe në dy raste të tjera është vendosur mos fillim”.

Kryeprokurori ka pranuar, se gjatë procesit për administrimin e firmave piramidale, pas kolapsit të tyre, ka pasur abuzime nga admninistratorët. Zoti Sollaku, në emër të institucionit që drejton, u tregua i gatshëm për të nisur hetimet, qoftë për administratorët, por edhe politikanët, të cilët do të trajtohen si çdo qytetarë, nëse kanë konsumuar elementë të veprës penale.

Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i shërbimit përmbarimor gjyqësor, Nasip Naço, bëri të ditur, se shumë nga debitorët e firmave, janë liruar nga detyrimi i shumave të mëdha parash, me urdhër të administratorëve të fajdeve.

Nasip Naço:- “Në qoftë se do i marrim të 2300 rastet, t’ia përplasim Përmbarimit dhe t’i themi që faji është i joti, këtu s’po ndajmë fajin, pa i bërë identifikimin, unë nuk do t’i bëjë asnjë koment, mjafton të lexojmë nenin 4 dhe 5 dhe pastaj përgjegjësinë që kanë përmbaruesit. Unë nuk mund të lë pa përgjegjësi përmbaruesit, por janë veprime që nuk i kanë pushuar çështjet në mënyrë administrative”.

Pas këtij deklarimi, deputeti Arben Imami ka vendosur të caktojnë në ditën e henë, seancën për pyetjen e ekspertëve të fajdeve, po u ka kërkuar zotit Arapi, Sollakut dhe Naços, të vijnë sërisht në komision, nëse do të duhen hollësi lidhur me hetimin parlamentar për transparencën e fajdeve./tvklan.al