Komisioni i Jashtëm Parlamentar ka ftuar dhe një herë sot zyrtarisht Ministrin e Jashtëm Paskal Milo për të dhënë shpjegime mbi vizitën e tij 2 javore në Amerikën Latine. Pas incidentit të djeshëm në Parlament me deputetin e pavarur Lesi, Ministrit Milo do t’i duhet të paraqitet më 20 Qershor në zyrat e Kuvendit.

Anëtari i Komisionit të Jashtëm Parlamentar Leonard Demi, tha se vizita e Milos është e pajustifikuar dhe për këtë Komisioni i Jashtëm i është drejtuar edhe kryeministrit Ilir Meta.

” Unë jam i interesuar për veprimetarinë që bën Ministri i Jashtëm dhe përgjigja që ai dha dje, nuk justifikonte vizitën e tij në vendet e Amerikës Latine. Komisioni i Jashtëm e ka thirrur Milon nëpërmjet deputetit të Partisë Demokratike zotit Pollo, që të informojë këtë forum të Parlamentit për veprimtarinë e tij në Amerikën Latine ku zoti Milo e ka refuzuar ftesën për të dhënë llogari në Komisionin e Jashtëm. Ne e kemi ripërsëritur atë dhe mendoj nga data 20 zoti Milo do të vijë në një mbledhje të Komisionit të Jashtëm.”/tvklan.al