Komisioni i shëndetësisë e ka zhvilluar mbledhjen e radhës për raportimin mbi ecurinë e shtrirjes së skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor në spitalin e Durrësi, i cili që prej vitit 2001 ka funksionuar me skemën e ISKSH-së.

Gjatë raportimit drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, u shpreh se shërbimi në spitalin e Durrësit ka qenë mjaft i mirë.

Elvana Hana: “Një ndryshim shumë i madh konceptual ka qenë midis spitalit të Durrësit dhe spitaleve të tjera pasi theksi u vu tek autonomia e spitalit. Ajo pjesë e fondeve, e cila vinte nga Instituti i Sigurimeve menaxhohej nga një bord në mënyrë autonome”.

Eksperienca pozitive dhe e suksesshme me spitalin e Durrësit dhe ligji për financimin, i përgatitur nga ekspertët, mbetet vendimtar për zgjerimin e skemës së ISKSH-së në të gjitha spitalet e vendit.

Tritan Shehu: “Është një shembull, i cili na ka nxitur që nga fillimi i këtij viti ne të marrim vendimin në parlament me kërkesën e qeverisë, mbështetjen e ISKSH-së, të zgjerojmë skemën e përfshirjes së ISKSH-së në financimin e spitaleve në të gjitha spitalet rajonale të vendit”.

E pranishme në këtë takim ishte edhe zv/Ministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, e cila u shpreh se një ndër objektivat më madhore të Ministrisë së Shëndetësisë është modernizimi i shërbimit shëndetësor si dhe ndryshimi i mënyrës së financimit./tvklan.al