Është mbledhur sot pasdite Komiteti Drejtues i Partisë Socialiste të
Tiranës nga ku kjo forcë politike e shpalli fushatën e zgjedhjeve lokale në Tiranë. Kryetari i Partisë Socialiste të kryeqytetit Musa Ulqini, ka paraqitur sot dhe alternativën e re në prag të zgjedhjeve. Sipas Ulqinit, Tirana nuk do të ketë më 11 njësi administrative, por 11 njësi bashkiake.

“Pra, ne do të ruajmë konfiguracionin gjeografik të 11 njësive ekzistuese administrative, por duke bërë disa ndryshime thelbësore që synojnë afrimin e pushtetit me qytetarin dhe mireadministrimin e metropolit shqiptar. Për shumë probleme, qytetarët do të kenë mundësi t’i zgjidhin hallet e tyre aty ku banojnë dhe jo të trokasin të gjithë në zyrat e bashkisë në qendër.”

Ulqini ka kërkuar sot nga Këshilli i Ministrave investime shtesë për periferitë e Tiranës sidomos për zonën e Kinostudios dhe të Laknasit. Në takimin e sotëm kryetari Ulqini ka shpjeguar se kryetarët për kandidatët për kryetarë bashkie do të propozohen nga këshillat zonale dhe kryesisë në qendër do t’i përcillen vetëm tre kandidatë. Këtë përzgjedhje do t’a bëjë Komiteti Drejtues i Tiranës. Pas 25 korrikut, kandidatët do të fillojnë fushatën./tvklan.al

Gazetare: Mimoza Picari