Lajme Arkiva 2003

Pjetër Dema: Energji elektrike ka për të plotësuar nevojat në masë të plotë për të gjithë konsumatorët. Vetëm se çdo njeri duhet ta ketë të qartë që energjia elektrike më parë duhet paguar që ta kesh atë në mënyrë të vazhdueshme.

Ky ishte prononcimi i fundit që zëvendësministri i energjetikës ka bërë dje për mediat. Sipas deklaratave të KESH-it të ardhurat nga arkëtimet e konsumatorëve të energjisë në rang republike kanë arritur shifrat mbi 90% ndërkohë që ndërprerjet e energjisë elektrike dënojnë të gjithë shqiptarët. Shumica dërrmuese e tyre dënohet nga një përqindje e ulët rebele e cila nuk paguan. Kjo është arsyeja që dritat mungojnë rregullisht në periferi, por edhe në qendër. KESH është i paaftë të identifikoj ata që nuk paguajnë ndaj ka gjetur rrugën më të shkurtër duke i dënuar në masë shqiptarët.

Që nga koha e Holokausit është e ndaluar nga të gjitha konventat ndërkombëtare dënimi kolektiv. Në Shqipëri ky dënim sponsorizohet politikisht nga shumica në pushtet dhe nga drejtuesit e politikave energjetike si zoti Pjetër Dema.

Për këtë problem ne u drejtuam në Komunitetin Shqiptar të Helsinkit. Njazi Jaho, këshilltari juridik në këtë komunitet tha për Tv Klan.

Njazi Jaho: Përgjegjësia në çdo rast duhet të jetë individuale. Në rastin konkret në qoftë se një pjesë e popullatës ose e lagjes nuk paguan energji elektrike ata duhet të përgjigjen në mënyrë individuale. Në qoftë se në këtë lagje apo në këtë sektorë ka edhe të tjerë që paguajnë apo janë të rregullt, nuk ka pse ata të përgjigjen për shkak se pjesa tjetër e popullatës nuk paguan. Pra edhe në këtë rast duhet të ketë përgjegjësi individuale, jo globale. Çdo person që nuk është korrekt me KESH që ka lidhur kontratë të përgjigjet. Ndërsa edhe KESH në qoftë se nuk është korrekt me klientin me të cilin ka lidhur kontratë duhet të ketë pasoja./tvklan.al