Kadastra dhe institucione të tjera të administratës publike, do të jenë dy projektet e para të Korporatës së Investimeve që pritet t’i shtohen ndërtimeve të reja të shumta të kryeqytetit.

Mes 10 studiove ndërkombëtare që paraqitën projekt-idetë e tyre përpara një jurie po ndërkombëtare, pjesë e së cilës ishte dhe kryeministri Rama, fituese u shpallën tre studio; Coldefy nga Franca, bashkimi i studiove Andrea Caputo dhe Soil, si dhe studio tjetër italiane, Baukuh.

Kryeministri Rama tha se vendosja e administratës publike në këto godina i jep mundësi jo vetëm të kursehen miliona euro, që aktualisht shpenzohen për qiranë, por të kenë dhe kushte më dinjitoze.

“Institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qera, për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030. paraqesin edhe probleme te vazhdueshme mirëmbajtje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise”, tha Rama.

Arkitektura e këtyre objekteve të reja publike, Rama mendon se mund të ndikojë pozitivisht dhe tek turizmi.

Kryebashkiaku Veliaj vlerëson ndikimin që do të kenë në vlerën e pronës ku do të ngrihen këto objekte.

“Duam që të shohim se si në këto 4 vatra investimi do të prodhojë më shumë mirëqenie, edhe një rritje të vlerës imobiliare në të gjithë atë zonë. Jam i sigurt që në finale si çdo debat tjetër, si çdo diskutim që kemi pasur. Këtu nuk bëhet fjalë për të harruar historinë ose për të mohuar kontributet, këtu bëhet fjalë për të prodhuar një realitet të ri në Tiranën tonë”, tha Veliaj.

Tv Klan