“Stop” ishte në Durrës pasi shtetasja ukrainase Tatiana Topaltseva shpjegon se ka blerë një apartament të vogël para dy vitesh, por prej disa kohësh ka një problem me faturat e ujit të pijshëm.
Kur bleu shtëpinë ndryshoi edhe matësin e ujit, por pas dy vitesh pa që shënonte mbi 1000 m kub, gjë që, sipas saj, është e pamundur të jetë konsumuar.
Në vapën e kësaj vere, Tatiana u detyrua të gjente mënyra alternative për ujin e munguar, derisa pranoi të lidhte një aktmarrëveshje për të paguar shumën prej 2000 Eurosh.
Tatiana këmbëngul, se apartamentin e ka marrë pa ndonjë detyrim të pashlyer.
Juristi i Ujësjellësit Durrës i thotë gazetarit se dy lexues janë hequr nga puna për shkak të problemeve që kishin në punë.
Stopi: Juristi?
Juristi: Po, unë jam!
Stopi: Nuk po marr dot faturat, ku e ka harxhuar ujin, zonja?
Juristi: Do bëni një kërkesë, do ta padisni UKD-në, çfarë vendosët?
Stopi: Normal, që do ta padisim, sepse i keni bërë një kontratë, që nuk e ka. Më duhet kontrata!
Juristi: Kanë qenë dy lexues, që janë larguar të dy nga puna, sepse kanë pasur probleme. Vinin këtë pjesën “tarifë shërbimi”.
Stopi: Nuk kontrollonin fare?
Juristi: Jo, vetëm tarifën e shërbimit, por realisht janë sasi m3 në matës. Tani, sesi janë harxhuar ato m3, se ia kanë vjedhur Tatianës…
Stopi: Këta punonjësit ju kanë sjellë foto të sahatit?
Juristi: Nuk ka foto, është tarifë shërbimi. Në momentin, që është bërë verifikimi, metrat kub janë efektive në sahat.
Ndërsa drejtori i UKD-së shprehet, se sasia e ujit është konsumuar pavarësisht se Tatiana mund të jetë vjedhur nga ndonjë subjekt tjetër.
Gjithsesi ajo mbetet borxhlie e duhet të paguajë./tvklan.al