Pas përfundimit të konkurrimeve të kandidatëve për studentë në Fakultetin e Shkencave Sociale një pjesë e tyre janë shprehur se nuk janë dakord me rezultatet duke pretenduar se kanë dhënë përgjigje të sakta. Kështu kjo kategori studentësh kanë vendosur të ankohen duke kërkuar rishikimin e tezave të tyre të konkursit.

“Unë do të ankohem, sepse këtu nuk jam e kënaqur me pikët që kam marrë. Jam më se e bindur që kam marrë më shumë pikë. Unë nuk di se ku ta paraqes në fakt, se nuk na thonë se ku duhet ta paraqesimm sepse dua të paraqes një kërkesë dhe dua të më rishikohet sërish testi duke qenë edhe unë e pranishme.”

Në lidhje me këtë problem ka dhënë shpjegim edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale.

Ylli Pango: “Me qenë se këtë vit për të gjithë fakultetet e Universitetit të Tiranës korrigjimet bëhen nga qendra, e cila ndodhet pranë Fakultetit Ekonomik në të njëjtën godinë dhe janë profesorët italianë që e bëjnë korrigjimin, të gjithë njerëzit mund të adresohen atje dhe për çdo gabim që mund të jetë vetëm i karakterit teknik, sepse gabime të tipit të paramenduar nuk mund të ekzistojnë.”

Gjatë këtij sezoni në katër degët e këtij fakulteti konkurruan 2800 kandidatë nga të cilët fituan të drejtën për të vazhduar studimet 400 studentë, ndërsa 20 vende janë rezervuar për shqiptarët me banim jashtë kufijve tanë shtetërorë. /tvklan.al