Nis konsultimi publik për Planin e Menaxhimit të Parkun Kombëtar të lumit Vjosa. Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha se po hidhet një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lumit të fundit të egër në Europë, nëpërmjet hartimit të Planit të Menaxhimit për Parkun Kombëtar si një punë e kujdesshme dhe intensive nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët ndërkombëtarë të IUCN.

“Është radha e komuniteteve lokale, atyre që jetojnë aty e do t’i gëzojnë të parët frytet e parkut të ri, të bashkojnë zërin në planin për menaxhimin të Vjosës e cila mbrohet si Park Kombëtar në 480 km vijë lumorë, në 12.000 hektarë sipërfaqe, me të tre degët e saj, nga hyrja në territorin e Shqipërisë e deri në grykëderdhje.“

Kryeministri ka dhe një përgjigje dhe për kritikët.

“E për të gjithë ata që i fryjnë një tymi pa zjarr se grykëderdhja e Vjosës është lënë jashtë kufijve të mbrojtjes, e kundërta është e vërtetë, se është dyfish Zonë e Mbrojtur si pjesë e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa dhe si pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë për rëndësinë e jashtëzakonshme natyrore. Dëgjesat publike për ata që dinë të dëgjojnë do të mbahen në Fier, Vlorë e Gjirokastër më 22 dhe 23 Maj.”

Qeveria e shpalli lumin Vjosa park kombëtar në Mars të 2023. Pjesë e zonës së mbrojtur janë edhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë.

Klan News