Në lidhje me ushtrimin e paligjshëm të palicensuar të kopshtit privat “Stinët” në kryeqytet, shefi i Komisariatit Nr.1 në Tiranë, Petrit Hala, thotë se ka nisur procedimi penal për Daniel Danushin për veprat penale “ushtrim pa licensim të veprimtarisë”, “fshehje financiare” dhe “mospagim i taksave dhe tatimeve”.

Lidhur me këtë njoftim të Halas, drejtuesi i emisionit investigativ “Stop” që denoncoi dhunën e ushtruar ndaj 3-vjeçares në këtë kopsht, thotë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se Daniel Danushi merret me gips referuar të dhënave në QKB.

“Ekstrakti tjetër i QKB-së, Entela Danushi, person fizik, kopsht për fëmijët. Është bllokuar ai që merret me gipsin, jo kjo që ka bërë kopshtin”, thotë Saimir Kodra.


Pjesë nga diskutimi në studionin e “Opinion”:

Petrit Hala: Sot nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë janë kryer të gjitha veprimet për referimin e materialeve proceduriale për rastin për mbylljen… Ka nisur procedimi penal për shtetasin Daniel Danushi për veprat penale “ushtrim pa licensim të veprimtarisë”, “fshehje financiare” dhe “mospagim i taksave dhe tatimeve”.

Saimir Kodra: Policia nuk le plakën që të shesë spinaq… Por mbetemi tek thelbi sapo tha policia që ka filluar procedimi penal për Daniel Danushin, thotë për 3 vepra. Po të fushësh në QKB-në e Daniel Danushit thotë shërbime në fushën e ndërtimit, punime gipsi, lyerje, restaurimi, rinovime ndërtesash e tërrci e vërrci. Është ky Daniel Danushi. Ekstrakti tjetër i QKB-së, Entela Danushi, person fizik, kopsht për fëmijët. Është bllokuar ai që merret me gipsin, jo kjo që ka bërë kopshtin.

Petrit Hala: Nuk është ndjekur nga ana e Komisariatit, por nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e cila ka strukturat. Në këtë komunikatë, më erdhi për Daniel Danushin.

Saimir Kodra: Apo edhe ti nuk di gjë, ke edhe ti habi si puna ime.

Petrit Hala: Jo, unë nuk kam habi. Jam kryer veprimet ditën e sotme.

/tvklan.al