Kosova shënon 1-vjetorin e miratimit të kushtetutës së republikës. Liderët e vendit në një seancë solemne me rastin e 1  vjetorit të miratimit të kësaj kushtetute vlerësojnë se ajo tregon orientimin demokratik properëndimor të vendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se kushtetuta e republikës së Kosovës u ndërtua mbi vlerat më të larta, juridike e demokratike të botës. Që respekton vullnetin e popullit, të drejtat e njeriut, bazën e fuqishme juridike, politike dhe ekonomike.

Jakup Krasniqi: “Kushtetua përbën ligjin suprem dhe aktin e kontratës midis qytetarëve dhe institucioneve shtetërore.”

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se si rezultat i zbatueshmërisë së kushtetutës shteti i Kosovës ka marrë mbështetje nga 57 shtete demokratike. Kështu duke treguar veten si vendi më stabil në rajon.

Fatmir Sejdiu: “Republika e pavarur dhe sovrane e Kosovës ka arritur që gjatë këtij viti të shtetësisë së saj të dëshmohet si vend stabil e paqësor, si vend i sundimit të ligjit dhe i vlerave qytetare.”

Nga ana tjetër kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se pas miratimit të kushtetutës zhvillimi i vendit ishe shumë më i madh. Sipas tij me këtë akt sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i pacenuar.

Hashim Thaçi: “Ne miratuam aktin më të lartë juridik të shtetit tonë të ri kushtetutën e standardeve më të avancuara demokratike. Dokumentin themelor që garanton lirinë tonë të fituar.”

Kushtetua e republikës së Kosovës u miratua më 9 prill 2008. Ajo e përcakton Kosovën si shtet qytetar i banuar nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe garanton respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut sipas parimeve më të larta demokratike në botë. Kushtetua ka hyrë në fuqi në 15 qershor 2008./tvklan.al