Kryeministri Hashim Thaçi duket të mos jetë shumë i disponuar të flasë me Ramush Haradinajn. Ai madje nuk dëshiron të merret fare me propozimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, për një debat televiziv mes tij dhe shefit të ekzekutivit.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi përjashtoi çdo mundësi të një dueli televiziv për shkak siç tha ai, angazhimeve shtetërore që ka kryeministri. Ai duke ironizuar me kërkesën e Haradinajt tha, se mbajtja e debatit nuk do të garantojë zgjedhje të përgjithshme për këtë vit.

Memli Krasniqi:Unë i kam parë komentet e zotit Haradinaj dhe mund të them se janë mjaft të habitshme, nuk e di nëse ai din diçka që ne nuk dimë. Po një gjë është e sigurt se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje parlamentare.”

Ftesa e Haradinajt për debat me Thaçin doli nga intervista e këtij të parit me Baton Haxhiun në “Zonën B” në Klan Kosova. Ai tha se do të jetë i gatshëm të ballafaqohet me kryeministrin kurdo që ia pranon të dalë në një debat televiziv.

Ramush Haradinaj:Unë jam i gatshëm për ballafaqim në tema, me kryeministrin Thaçi, në studion tuaj edhe në televizionin tuaj.”

Lideri i AAK-së në intervistën e së mërkurës bëri një sërë akuzash në adresë të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu duke e quajtur atë udhëheqës atë udhëheqës të dobët. Presidenca nuk preferoi të komentojë ato që tha Haradinaj. Fryma demokratike e krijuar në Kosovë sipas Xhavit Beqirit, zëdhënës i presidentit Fatmir Sejdiu, i lejon edhe qasje kritike që bën ndaj individëve apo ndaj institucioneve. Roli që ka presidenti në Kosovë, siç tha Beqiri, nuk e lejon atë që të bie në nivel polemikash me një lider opozitar siç është Ramush Haradinaj./tvklan.al