Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Tensionet dhe konfliktet në Kosovë ende janë të pranishme. Kosova jugore kryesisht fshatrat në kufi me Maqedoninë kanë ditë që ndodhen nën represionin serb. Në Kaçanik e në fshatrat Ivajc dhe Pustenik të Hanit të Elezit kanë hyrë trupat serbe të cilët kanë djegur 100 shtëpi. Banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e vëzhguesve të OSBE-së, pasi kanë frikën e ndonjë masakre të re.

Sipas agjensisë së UÇK-së “Kosova Press” gjatë luftimeve të djeshme janë vrarë 3 luftëtar të UÇK-së dhe janë plagosur 4 të tjerë. 15 Marsi dita e firmosjes ose jo të marrëveshjes në Francë ka preokupuar dhe më shumë diplomacinë.

Hollbruk, mediatori amerikan ka mbërritur në Jugosllavi dhe nesër do të takohet me Millosheviçin. Toni Bler Kryeminstri i Britanisë ka deklaruar se Millosheviçi duhet të kuptojë se NATO s’do të bëjë sehir nëse Beogradi përsërit masakrat e Racakut e djegien e shtëpive.

Ambasadori Amerikan në Shkup Kristofer Hill, ka qenë në Prishtinë për t’u takuar me përfaqësues të UÇK-së lidhur me firmën e 15 Marsit në Francë. Uilliam Uolker, Shef i Misionit të OSBE-së ka deklaruar se pranimi i firmosjes së marrëveshjes nga ana e UÇK nuk është i pamundur. Havier Solana, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është shprehur se Evropa duhet të tregohet më diplomatike për të ruajtur paqen në Gadishullin e Ballkanit./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori