Kosova dhe zyrtarisht ka pranuar kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që brenda disa muajsh të sjellë brenda këtij institucioni argumentet dhe autorët e hartimit të deklaratës së pavarësisë. Në një konferencë për media ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni ka thënë, se faktet janë në anën e Kosovës, mirëpo ka hezituar të shpalosë detaje nga dokumentet që do të shpalosë Kosova në pallatin e Paqes në Hagë.

Skënder Hyseni: “Kosova është ftuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë zyrtarisht që të deponojë deklaratën me shkrim pranë kësaj gjykate sipas të njëjtit orar dhe afateve kohore që vlejnë edhe për OKB-në dhe vendet anëtare të OKB-së. Kjo do të thotë se Kosova do të ketë mundësinë që të parashtrojë pikëpamjet e saja në të njëjtën mënyrë si edhe shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje ne do të përmbahemi gjithnjë përderisa nuk cënohet konfidencialiteti i provave, i argumenteve që Kosova do të paraqesë në gjykatë.”

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me kërkesën e Serbisë do të japë opinionin e saj këshill dhënës në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Kosova tashmë ka kontraktuar gjykatësin britanik Micheal Vud, i cili do të përpiqet të argumentojë se pse shpallja e pavarësisë ishte një vendim i ligjshëm./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki