Kreu i PS Edi Rama ka vijuar me prezantimin e programit qeverisës të partisë që drejton në Lazarat. Gjatë këtij takimi Rama u ndal tek problematika e ndarjes së njerëzve dhe vendosja e tyre nga forcat e politikës përballë njëri-tjetrit për shkak të politikës dhe jo për mënyrën se si mund të zgjidhen problemet e tyre. Sipas kryesocialistit kjo ndarje ka ndodhur në 18 vite dhe duhet të marrë fund.

Edi Rama: “Kjo politikë e vjetër që i ka vënë shqiptarët dhe shqiptaret kundër njëri-tjetrit. Ka vepruar kështu sepse ka qenë  e paaftë të lexojë hallet e njerëzve, të lexojë Shqipërinë e njerëzve të ndershëm dhe të zgjidhë ato probleme që asnjëherë. U kërkuam Shqipërinë si gjithë Europa nuk përfytyruam dhe do të mbeteshin të pazgjidhura edhe pasi të kapërcenin shekullin që lamë pas.”

Punësimi ishte në fokus të fjalës së kryesocialistit para banorëve të kësaj komune, ku premtoi se në qeverinë socialiste të pas 28 qershorit do të punësohen gjysma e familjeve që janë në skemën e varfërisë.

Edi Rama: “Njerëzve u duhet më shumë se sa çfarë u jep shteti në formën e ndihmës ekonomike kur ata janë të papunë dhe sot Shqipëria ka një varfëri që shkon përtej 40% dhe një papunësi që shkon shumë më përtej shifrës zyrtare që i deklarohet. E majta dhe e djathta në 18 vjet me radhë kanë zgjedhur të japin një ndihmë ekonomike në formën e lëmoshës, jo duke nxitur punësimin, por duke pranuar vegjetimin. Jo duke nxitur integrimin social, por duke pranuar përjashtimin social.”

Një tjetër premtim ka qenë ai për emigrantët, ku Rama tha se PS do të nxisë marrëveshje me Italinë dhe Greqinë për të njohur kontributin e sigurimeve për emigrantët. Në mënryë që kjo kategori të përfitojë pension.

Edi Rama: “Brenda mandatit tonë qeverisës ne do të lidhim një marrëveshje 2 palëshe me Italinë dhe me Greqinë për njohjen reciproke të periudhave të sigurimit për efekt pensioni.”

Duke u shprehur i bindur për fitore në zgjedhjet e qershorit shefi i selisë rozë tha se qëllimi i partisë që ai drejton është reforma e qeverisjes për të përmirësuar nivelin e jetesës së shqiptarëve./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami