Lajme Arkiva 2003

Çështjet e krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit  do të jenë në qendër të bisedimeve të radhës mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Tre ditë para takimit të grupit të përbashkët task-forcë dhe raundit të parë teknik të negociatave, anëtarët e kabinetit qeveritar në komunitetin e integrimit kanë diskutuar për pikat ku do të përqendrohen bisedimet.

Sipas kryeministrit Fatos Nano takimi i task-forcës do të diskutohet vetëm për çështjen e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, duke vënë edhe njëherë në dukje rëndësinë e veçantë që Bashkimi Evropian i kushton këtyre fushave.

Kryeministri Nano ka konfirmuar se bisedimet e së hënës mes përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe palës shqiptare  që drejtohet nga Ministri i Integrimit Sokol Nako do të jenë të vështira.

Në rendin e ditës janë për diskutim çështje si krimi i organizuar dhe korrupsioni, trafiku i qenieve njerëzore, trafiku i drogës, armëve, makinave dhe trafiqeve të tjera, menaxhimi i kufirit si dhe funksionimi i sistemit gjyqësor./tvklan.al