Lajme të këqija për ekonominë globale. Raporti vjetor i FMN thotë se kriza ekonomike do të jetë më e rëndë nga sa mendohej. Në bazë të të dhënave, rimëkëmbja në vitin 2010 do të jetë shumë e ulët në një kohë që papunësia do të vijë në rritje.

Krye ekonomisti, Olivier Blanshard thotë se prodhimi botëror do të bjerë me 1.3% këtë vit dhe nisur nga kjo, qeverive do tu duhet të ndërmarrin strategji të reja për përballimin e goditjeve në sektorin financiar, e në rast se këto të fundit do të rezultojnë efektive atëherë vetëm në 2010-ën do të mund të flitet për rimëkëmbje.

 Sipas fondit, e ardhmja e ekonomisë do të jetë më e zymtë nga sa ishte parashikuar. Rritja do të jetë vetëm 1.9%, në një kohë që prodhimi botëror industrial do të bjerë me 7.5%.  Ajo që ka filluar të vihet re në ekonomitë e zhvilluara është rritja e papunësisë, një nivel ky që do të arrijë kulmin nga fundit i vitit 2010.

Në rast se do ti referohemi statistikave, rritja për ekonomitë e zhvilluara do të bjerë mesatarisht 3.8% gjatë 2009. SHBA do të shënojnë një rënie me 2.8%. Raporti thekson se për ekonomitë në zhvillim do të ketë një rritje me 1.6% gjatë këtij viti dhe 4% në 2010-ën.

Kjo është kriza më e rëndë që nga koha e depresionit të madh. Fillimet e këtij shoku të ekonomisë botërore i dhanë efektet e para në SHBA në vitin 2007, kohë në të cilën një numër i madh bankash filluan të deklaronin humbjet e tyre kolosale, duke paralajmëruar falimentin./tvklan.al