Kryeministri Berisha ka vizituar ekspozitën me kartolina, “Shqipëria nga 1892-shi” të koleksionistit grek, Panajotis Koliomihalis.

Në komentet e tij në këtë koleksion ku pasqyrohen qytetet shqiptare si dhe tradita e tyre kreu i qeverisë e cilësoi atë si një vlerë unike për kulturën shqiptare.

Sali Berisha: “Unë dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë për këtë enciklopedi të mrekullueshme, mahnitëse që ia ka dalë të kompozojë, të ndërtojë, të hartojë, ta shkruajë në kartolina dhe në kartolina postale të dy shekujve të fundit për Shqipërinë. Dua ta siguroj se institucionet shqiptare përkatëse, Ministria e Kulturës, Muzeu Kombëtar do të punojnë në mënyrë që këtë enciklopedi ta bëjnë të njohur në mbarë botën si mënyrën më të mirë për të bërë të njohur historinë e dy shekujve të fundit të vendit tonë”.

Është një punë disavjeçare e koleksionistit grek, Panajotis Koliomihalis, dhe kartolinat e tij dokumentojnë historinë e Shqipërisë në shekullin 19 dhe 20.

Në 40 vitet e tij Koliomihalis ka çelur ekspozitat e tij në 15 vende të botës, ku është dekoruar me 15 medalje ari, ndërsa në Shqipëri është hera e parë që ofron këtë imazh.

Koleksionisti ka edhe 150 punime prej guri dhe bronzi, si dhe 350 libra për Shqipërinë nga vende dhe autorë të ndryshëm të botës të pashfaqura më parë, të cilat mendon t’ia ofrojë publikut shqiptar mbase në një ekspozitë tjetër./tvklan.al