Kryeministri Berisha gjate vizitës ne Kinën e largët ka regjistruar një rekord origjinal teksa ka ngjitur murin e madh kinez ne rajonin Baddaling.

Berisha ngjiti mbi 1500 shkallët që të çojnë në njërën nga majat e këtij segmenti dhe iu akordua nga autoritetet lokale, një certifikatë si kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të murit, mes 400 krerësh shtetesh dhe qeverish qe e kane vizituar këtë mur.

Kreu i ekzekutivit e ka cilësuar këtë si një ngjitje sa kulturore, aq edhe elektorale.

Sali Berisha: “Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes, por të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Miku im kinez më thotë se je ngjitur më lartë në mur se çdo kryeministër tjetër që ka vizituar murin. Iu përgjigja se kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore, aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim, këtu. Pjesa tjetër, është strikt zyrtare.”

Kryeministri Berisha ka vijuar takimet me krerët e republikës popullore te Kinës.

Zv/kryeministri kinez, Hui, pas takimeve me kreun e ekzekutivit shqiptar ne Pekin deklaroi se Kina është gati që të zhvillojë më shume marrëdhëniet me vendin tonë, bashkëpunim i filluar 60 vjet me parë.

Kryeministri Berisha u shpreh i kënaqur nga fryma bashkëpunuese dhe miqësore qe gjeti ne Kinë.

Sali Berisha: “Ky ishte një takim historik për faktin se zhvillohej në kuadrin e 60-vjetorit të marrëdhënieve miqësore, tradicionale midis dy vendeve dhe dy kombeve tona. Qëllimi i këtij takimi dhe i kësaj vizite është të ngre në një stad të ri në perspektivën e marrëdhënieve tashmë miqësore midis dy vendeve. Kina dhe Shqipëria ka një të shkuar në të cilën kanë elementë bashkëpunimi të shumanshëm, por ka një të ardhme e cila bazohet në faktin se dy partitë, Partia Komuniste e Kinës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë forcat politike që kanë ndryshuar në mënyrën më rrënjësore vendet e tyre me programet e paraqitura. Me presidentin Hu Xhintao diskutova mbi marrëdhëniet politike, ekonomike, kulturore, arsimore dhe të gjithanshme. E ftova presidentin Hu Xhintao të vizitojë Shqipërinë dhe të pranojë me kënaqësi ftesën”./tvklan.al