Komenteve të ditëve të fundit nëpër rrjete sociale se plazhet shqiptare janë boshatisur dhe pa turistë këtë sezon veror, u ka kthyer përgjigje Kryeministri Edi Rama.

Lajme të tilla, kreu i qeverisë i ka konsideruar si një sulm të organizuar ndaj turizmit të vendit, të bërë përmes adresave false në rrjetet sociale.

“Duke qenë se këtu janë të pranishëm jo vetëm një pjesë e bashkive kryesore sa i përket turizmit të vijës bregdetare por edhe të tjerët ku siç tregon harta e sivjetshme e turimizt, tendenca e flukseve turistike për të shkuar përtej detit edhe për të eksploruar deri dhe zona që deri dje as nuk imagjinohej që kishin turistë, është e rëndësishme që sot të jeni të vetëdijshëm që ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare, të gjithë janë të habitur dhe skandalizuar nga shumë video, lajme, komente të rreme, të manipuluara të bëra me qëllim që duan të tregojnë që këtu s’ka ardhur njeri. Faktet janë në terren dhe nuk është ky preokupimi kryesor. Fakti është që sistemet tona të sigurisë kibernetike kanë ndezur dritën e kuqe për këtë, shumë profile false që përdoren për këtë sulm. Kjo është njëra anë e medaljes që vlen për diçka tjetër, vlen për të kuptuar që ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar, erdhi dhe me sfidat e reja, që janë gjithmonë e më komplekse, që kanë të bëjnë me të gjithë elementët”.

Kryeministri Rama dha shifra konkrete të numrit të lartë të turistëve që vijnë në Shqipëri, aq sa edhe avionët charter që ulen në aeroportin e Rinasit duhet të kërkojnë leje 3 ditë para.

“Sivjet faktikisht para pak ditësh Komisioni Europian i Udhëtimeve nxorri një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të fluksit të turistëve. Pastaj vijnë me radhë këtu në rajon, Serbia 48%, Mali i Zi 31%, Greqia me 22%, Turqia me 20%. Ndërkohë që shumë nga vendet Perëndimore janë me rënie. Pjesë e këtij sulmi është dhe një përpjekje shumë e ulët për të thënë që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë. Ndërkohë që nga Janari deri Qershor ka 1.7 milionë hyrje të qytetarëve të Kosovës ose 25% më shumë se vjet. Ndërkohë që ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq, pastaj turistit polak, dhe aeroporti i Tiranës është në pamudnësi për të dhënë leje për ulje të avionëve charter për shkak se nuk ka vend në 24 orë. Dhe për të ulur chartet ne aeroportin e Tiranës duhet të prenotosh 3 ditë përpara. Gjë që natyrisht do të adresohet”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Këto komente, kreu i qeverisë i bëri në mbledhjen me të gjithë kryetarët e bashkive në vend.

/tvklan.al