Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka kthyer përfundimisht për rishqyrtim projektin për qendrën e këtij qyteti. Pas debateve të shumta është vendosur rishqyrtimi i këtij projekti nga Këshilli i Rregullimit të Territorit. Të parët që kundërshtuan këtë projekt ka qenë Myftinia e Elbasanit pasi në të ishte eliminuar xhamia më e madhe e qytetit e njohur si Xhamia e Balliesit. Por edhe prefekti i Elbasanit ka qenë kundër projektit duke renditur edhe argumentet për këtë kundërshtim.

Prefekti i Elbasanit: “Është problemi i leverdisë ekonomike. Aty ka mjaft prishje, siç janë pallatet 3- katëshe dhe mbi ato do të ndërtohen pallate 5-katëshe duke u shtrirë në pronat e qytetarëve. Do të venë në dispozionin këto miliona dollarë në shërbim të qytetarëve apo thjesht ky plan do të mbetë formal dhe do të jetë pengesë për zhvillimin. Kjo është ana financiare. Problemi tjetër është problemi i pallateve shumëkatëshe. A duron Elbasani pallate 15, 17 , 12 kate. A do të vazhdojmë të bëjmë ato gabime që janë bërë me qendrën e qytetit duke miratuar kulla të njëpasnjëshme. Problemi tjetër është problemi i institucionit të prefekturës. Nuk nisem nga fakti që është prefekturë apo jo, por nga fakti që është godinë e vitit 1923. Mbeten vetëm dy godina në Elbasan që kanë identitetin e këtij qyteti: mbetet banka edhe ky institucion.”

I pranishëm në këtë mbledhje me tone të ashpëra ka qenë edhe deputeti i Elbasanit Taulant Dedja, të cilit i ka lindur si detyrë të sqarojë pozicionin e kryeministrit Nano në këtë projekt.
Emri i kryeministrit në shkresat e KRRTSH-së ëshët thjesht nga pikëpamja funksionale, pra në cilësinë e kryetarit të KRRTSH-së kryeministri firmos detyrat e projektimit apo vendimet e KRRTSH-së dhe, i gjithë ky këshill dhe të gjithë këta që janë prezent në këtë sallë, duhet ta kenë të qartë që kërkesa për detyrën e projektimit është bërë nga Bashkia e Elbasanit. Pra kërkesa që të mos ketë objekt kulti në qendër të Elbasanit është bërë nga kjo bashki. /tvklan.al