Pas pese ditësh mësymje të ushtrisë ukrainase brenda territorit rus, Rusia nisi operacionin e gjerë të kundërpërgjigjes, duke e cilësuar antiterrorizëm.

Komiteti kombëtar antiterrorist i Rusisë tha se po fillonte operacionet në rajonet e Belgorodit, Brianskut dhe Kurskut për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Ekuipazhet e avionëve luftarakë-bombardues supersonikë shumëfunksionalë Su-34 të Forcave Ajrore Ruse kryen një goditje ndaj personelit dhe pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës në zonën kufitare të rajonit Kursk.

Gjithashtu luftimet janë përqendruar edhe në periferi të qytezës së Sudzhas, ku ukrainasit kanë marrë në kontroll impiantin e gazit rus, ende aktiv në furnizimin e Europës.

Ndërkohe Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se do t’i dërgojnë Ukrainës një ndihmë të re ushtarake me vlerë 125 milionë dollarë, që përfshin raketa dhe sisteme për goditjen e mjeteve të blinduara. Ky është kësti i dhjetë i ndihmës që do t’i dërgohet Ukrainës. Shtetet e Bashkuara kanë miratuar dërgimin e 175 miliardë dollarëve për Ukrainën që kur Rusia ndërmori sulmin ndaj këtij vendi në shkurt të vitit 2022.

Tv Klan