Konviktet që kanë pritur nxënësit e shkollave të mesme profesionale në shumë rrethe të vendit nuk plotësojnë as kushtet minimale për akomodimin e tyre.

Këto janë ambientet e brendshme të konviktit, “Arben Broci”, në qytetin e Shkodrës. Pamjet flasin vetë për gjendjen në të cilën ndodhen dushet dhe kushtet e higjienës në këtë konvikt.

“Këtë vit jemi dhjetë veta, por do ndahemi, do bëhemi në dy grupe, dmth, nga pesë veta për vit të pestë, dmth, sivjet. Ujë të ngrohtë? Një herë në javë, dmth, lahemi. Çdo nxënës një herë në javë lahet”.

“Ushqimet janë gjithmonë të njëjta, dmth, ka mundësi për të ndryshuar, pastaj janë problemi i dusheve”.

Mbipopullimi i dhomave është një tjetër problem që nuk ka marrë ende zgjidhje. Përveç konvikteve të shkollave të mesme dhe qendrat studentore që për pak ditë do të hapin dyert do të vuajnë mungesën e ngrohjes.

Bashkim Rroji: “Në dhomat të cilat janë të vogla do vëmë dy studentë, do vëmë katër deri në tetë studentë është maksimumi kur dhomat janë të mëdha.”

Edhe më alarmante është situata në Gjirokastër. Në 130 konviktorë të shkollave të mesme përballen me një sërë problemesh.

Në konviktin e vajzave mungon uji dhe dushet, ndërsa në godinën e meshkujve është e vështirë të gjesh dhoma të mobiluara.

“Ngrohja pothuajse nuk ekziston. Ka disa kaldaja, dmth, por shumë pak ndizen.”

“Dmth, në katin e tretë që jemi ne vetëm një dush punon nga një krah, kurse nga krahu tjetër nuk punojnë dushet”.

Nikolla Gjini: “Përsa i përket konvikteve të djemve, në të cilën mungon kaldaja mendoj se zgjidhja do të bëhet vetëm nëpërmjet sistemit me rezistencat nëpër mjediset ku bëhet studimi ose dhomat e fjetjes”.

Kalimi i konvikteve në administrimin e pushtetit vendor po shoqërohet me vështirësi për shkak të mungesës së fondeve dhe personelit edukativ./tvklan.al