Gjykata e Tiranës dënoi me 18 vjet burg ish presidentin e firmës Rentiere “Silva” Pëllumb Shehaj. Ai u akuzua nga prokuroria për vjedhje me anë të mashtrimit të mbi 5.000 kreditorëve për shumën mbi  250 milionë Lekë. Akuza kërkoi për të pandehurin i cili gjykohet në mungesë me 20 vjet burg ndërsa gjykata e uli këtë dënim në 18 vjet. Aktualisht Shehaj dyshohet të jetë jashtë Shqipërisë.

Javën e ardhshme do të thirren si dëshmitarë në procesin gjyqësor për pasaportat Ministri i Rendit Luan Rama dhe paraardhësi i tij në këtë post Stefan Çipa. Të dy ata kanë dhënë deklarime edhe më parë në prokurori. Një nga dëshmitarët që konfirmohet se nuk do të dëshmojë në proces është ish Ministri i Rendit Ilir Gjoni, i cili aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I mbiquajturi Gaxhai dhe të dënuarit e tjerë të cilët tentuan të arratiseshin nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë 302 në Tiranë janë paraqitur në seancën për këtë çështje. Gjyqtari Bujar Krasniqi duhet të shqyrtoj edhe këtë dosje krahas asaj me gardianet 302 të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të rregullores së brendshme të burgut për të njëjtin rast. Gaxhai dhe të dënuarit e tjerë e pranuan akuzën  dhe kërkuan gjykim të shkurtuar./tvklan.al