Spiker: Reis Çiço

Headlines 29 Shtator

Këshilli Kombëtar shtyn më 7 Tetor protestën. Berisha: Burgosja e Salianjit, thirrje lufte

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike shtyn për në 7 tetor mbajtjen e protestës. Sali Berisha thotë se burgosja e Ervin Salianjit është një thirrje lufte për opozitën, ndërsa paralajmëron një beteje pa kthim deri në largimin e Edi Ramës.

Durrësi preferohet nga turistët edhe në vjeshtë. Interes të veçantë nga polakët dhe nordikët

Durrësi mbetet preferenca e turistëve të huaj edhe përgjatë sezonit të vjeshtës. Turoperatorët shprehen se në krahasim me një 1 vit më parë vërehet rritje e prenotimeve, ku interes të shumtë kanë polakët dhe shtetasit nga vendet nordike.

Sëmundjet e zemrës, Shqipëria në zonën e kuqe. Mjeku Veshti: Po preken moshat e reja

Shqipëria është në listën e kuqe sa i përket prekjes së të rinjve nga sëmundjet kardiovaskulare. Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUT, Altin Veshti, bën apel për kryerjen e kontrolleve mjekësore të shpeshta dhe në kohë. Duhanprirja dhe alkooli janë shkaqet kryesore të atakeve kardiake.

OBSH: Shqiptarët përdorin antibiotikë pa kriter. 15% e tyre e marrin pa rekomandimin e mjekut

Një raport i fundit i Organizatës Boterore të Shëndetit zbulon se shqiptarët përdorin pa kriter antibiotikët. Më shumë se gjysma e popullsisë ka përdorur barna të tilla muajt e fundit, ku madje 15% nuk kanë marrë as rekomandimin e mjekut.

Zgjerohet harta e konfliktit, Izraeli sulmon bazat e Huthit në Jemen

Zgjerohet harta e konfliktit të armatosur në Lindjen e Mesme. Pas Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban, Tel Avivi sulmoi këtë të dielë edhe bazat e militantëve të Huthit në Jemen. Sakaq gjendet trupi i pajete i liderit Nasrallah në Bejrut.

Pesë ligat e mëdha arrijnë marrëveshjen. Merkato e lojtarëve do të ndryshojë në mënyrë drastike

Drejtuesit e Federatave të Futbollit në Angli, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Francë tashmë kanë rënë dakord për një masë që kërkon të mbyllë skuadrat para se të fillojnë garat. Kjo pritet të hyjë në fuqi në vitin 2025./tvklan.al