Të bësh biznes në Shqipëri është më e lehtë se 12 muaj më parë, megjithëse në raportin e fundit të bankës botërore Doing Business vendi ynë renditet një pozicion më poshtë se në listën e 2007. Ekspertë të ekonomisë thonë se nuk bëhet fjalë për një keqësim të klimës së biznesit.

Këshilltarja e kryeministrit për ekonominë sqaron, se raporti i fundit të bësh biznes raporton mbi periudhën prill 2006-maj 2007 dhe në të nuk përfshihen reformat e ndërmarra nga qeveria vitin e fundit. Mes të cilave lehtësimin e taksave, krijimin e One stop shop, që shkurton në mënyrë drastike kohën e regjistrimit të një biznesi, heqjen e licencave  apo procedurat e falimentimit. Kritere këto të cilat e kanë listuar Shqipërinë të 136 mes 178 vendeve të botës.

Zana Guxholli: “Reformat që ne kemi filluar si qeveri kuptohet që e kanë fillimin në vitin 2006-2007 dhe janë thelluar akoma më tej këtë vit. Po t’i referohemi një nga këto tregues civil të fillosh një biznes në Shqipëri, këtu është një nga pikat kulmore të suksesit tonë në lehtësimin e baras fiskale. Kemi krijuar shërbimin One stop shop, por po t’i referohemi datës kur ka filluar kjo qendër del jashtë kohës që ka konsideruar banka botërore për të llogaritur këtë tregues. Ne jemi në përfundimin e regjistrit kombëtar të regjistrimit.”

Të gjitha reformat e ndërmarra do të pasqyrohen në raportin e ardhshëm të bankës botërore, ku pritet që Shqipëria të bëjë një kërcim impresionues në renditje. Nga të 10 kriteret e marra në shqyrtim në raportin të bësh biznes, një pikë që vijon të mbetet problematike është marrja në punë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro