Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar që opozita të ndërpresë të gjithë veprimtarinë parlamentare deri në dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha.

Në mbledhjen e kryesisë së LSI-së në mbrëmje u deklarua se me kryeministrin aktual nuk mund të ndërmerren reforma institucionale apo të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme.

Petrit Vasili: “Duke mos pasur asnjë iluzion se me Sali Berishën mund të ndërmerren reforma institucionale apo të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme opozita të ndërpresë të gjithë veprimtarinë parlamentare deri në dorëheqjen e menjëhershme të Sali Berishës.”

Deklarata e LSI-së është qëndrimi i fundit zyrtar i kësaj partie pas aksidentit të biznesmenit, Kosta Trebicka.

Ajo paraprin një takim opozitar të kërkuar nga kreu socialist, Rama, takim për të cilin presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, ka kundërshtuar pjesëmarrjen./tvklan.al