Liderët e Koresë së Jugut, Kinës dhe Japonisë do të takohen javën e ardhshme në Seul, për herë të parë për bisedime trepalëshe pas më shumë se katër vjetëve, njoftoi të enjten Presidenca koreano-jugore.

Takimi trepalësh mes presidentit koreano-jugor Yoon Suk Yeol, kryeministrit kinez Li Qiang, dhe kryeministrit japonez Fumio Kishida, do të mbahet të hënën në Seul, tha zyra e Yoonit.

Tre liderët do të mbajnë takime dypalëshe mes vete të dielën, sipas njoftimit.

Këto tre vende aziatike e mbajtën samitin e parë trepalësh më 2008, dhe ishin pajtuar asokohe që ky të ishte samit vjetor mes liderëve. Por, samiti u pezulluar në vitin 2019, kur ata u takuan për herë të fundit në Kinë.

Përpjekjet e fqinjëve aziatikë për ta rritur bashkëpunimin në mes vete ka hasur shpesh në pengesa, për shkak të një sërë çështjesh, përfshirë mosmarrëveshjeve historike që burojnë nga agresionit i Japonisë gjatë kohës së luftës dhe gara strategjike mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet mes Koresë së Jugut dhe Japonisë u përkeqësuan rëndë për shkak të çështjeve që shkaktoi kolonizimi i Gadishullit Korean nga Japonia mes viteve 1910-1945.

Por, marrëdhëniet mes tyre u përmirësuan dukshëm prej vitit 2023, kur ato ndërmorën një sërë hapash të mëdhenj për ta lënë mbrapa atë histori dhe për ta forcuar bashkëpunimin përballë sfidave që përbashkëta, përfshirë programi i avancuar bërthamor i Koresë së Veriut.

Arsenali në rritje bërthamor i Koresë së Veriut përbën kërcënim të madh për sigurinë e Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Por Kina, aleati i vetëm i madh i Koresë së Veriut dhe furnizimi më i madh më ndihma, dyshohet se po e shmang zbatimin e plotë të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut dhe se po e ndihmon fshehurazi fqinjin e vet të varfër për të mbijetuar. Kina dyshohet gjithashtu se shërben si mburojë kundër ndikimit amerikan në Gadishullin Korean. /REL