Për t’u ardhur në ndihmë të rinjve të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt internship me pagesë. Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, projekti “Fillo me një ide – Fito një internship”, është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë, që kanë ide të reja, për të bërë punë të mira për veten dhe për qytetin.

“Unë jam duke kërkuar për çuna dhe goca që duan t’i bashkohen skuadrës sonë sepse do të vijë koha kur i kalojmë stafetën një brezi tjetër. Ndaj, do të doja shumë që nga kjo skuadër të kishim drejtorët e ardhshëm, drejtuesit e projekteve të agjencive tona, dhe sot po e nisim me një ide modeste, si një test për të kuptuar karakterin, forcën, zgjuarsinë dhe dëshirën për të bërë ca punë të mira për qytetin tonë”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, vendin e ndryshojnë njerëzit që kanë ide dhe mendojnë për të çuar vendin përpara.

“Vendin nuk e ndryshojnë njerëzit që bëjnë analiza nga divani dhe Facebook, Kush ka qenë pjesë e historive të viteve të fundit në Tiranë, e di që debati për Teatrin e Ri kapërceu nivelin e histerisë, u bë pjesë e fushatës, vazhdon të jetë pjesë e politikës, e djegies së gomave dhe molotovit javor te bashkia, por tani që kemi hapur themelet e teatrit, kur ti shikon që është një hapësirë e madhe, – do të jetë padyshim teatri më i madh në Ballkan – ti kupton se në 3 muaj punë kemi bërë më shumë se në 30 vite sherr”, tha Veliaj.

Projekti “Fillo me një ide – Fito një Internship” tashmë është në vitin e 6-të. Nëpërmjet një praktike 3 mujore pune, të rinjtë të kenë mundësinë të shprehin idetë e tyre krijuese dhe inovative.

Tv Klan