Kur e gjithë vëmendja ishte te konsensusi politik për Reformën Zgjedhore, kryeparlamentarja Lindita Nikolla në seancën e fundit të këtij sesioni kuvendor ka befasuar deputetët duke dhënë dorëheqjen. Arsyen ajo e dha vetë me anë të një fjalimi të mbajtur në seancë, duke thënë se këtë lajm duhet ta japë duke parë në sy të gjithë deputetët.

“Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon.  Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë. Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im.  Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë.”

Ndërsa lëshoi një apel që ky vetëlargim i saj të mos keqinterpretohet nga politika: Po e mbyll me lutjen që të mos spekulohet politikisht me këtë largim timin të padëshiruar, por të pashmangshëm, sepse besoj që nuk ka asgjë më njerëzore, se sa pamundësia që më detyroi të ndërmarr këtë hap.

Lindita Nikolla e nisi karrierën politike për më shumë se 2 dekada me parë, duke qenë drejtuese e Njësisë Bashkiake numër 1 në Tiranë. Ne qeverisjen e socialistëve të kryeministrit Edi Rama ka mbajtur postin e ministres se Arsimit. E zgjedhur për tre mandate si deputete e PS-së, në Shtator të vitit 2021 ajo u zgjodh si kryetare e Parlamentit, e para grua në radhët e socialistëve ne këtë post.

Tv Klan