Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Përcaktimi i hapave të mëtejshme ligjore në luftën kundër krimit të organizuar, i ka mbledhur në një takim të papritur në zyrën e kryeparlamentarit Gjinushin, Ministrin e Rendit Gjoni, Kryeprokurorin Arben Rakipi, si dhe drejtuesit e komisionit parlamentar për Rendin dhe SHISH-in. Në takim është vendosur funksionimi i gjykatës për krimet e rënda.

Ministri i Rendit Ilir Gjoni, ka fajësuar gjykatat për nxjerrjen në lirim të krminelëve. Gjoni përmendi rastin e vrasjes së majorit Ilir Ngresi, ku për të akuzuarit nuk ishte mbajtur qëndrimi i duhur ligjor.

Ilir Gjoni, Ministri i Rendit:- “Kam kërkuar një informacion nga të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve, të cilët më kanë dhënë një listë me raste flagrante, kur gjykatat kanë nxjerrë në lirim persona, të cilët normalisht duhet të qëndronin në qeli. Në bashkërendim edhe me prokurorin e përgjithshëm dhe Ministrinë e Drejtësisë, ne do të vëmë në dispozicion të komisionit, të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe shpresoj që të dalin para përgjegjësisë, të gjithë ata persona që punojnë në strukturat shtetërore dhe që janë fajtor për mosmbarëvajtjen apo mosrespektimin e ligjit”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame