Ngritja e stacionit energjetik për prodhimin e energjisë me anë të turbinave të erës në zonën e Karaburunit nuk do ta cenojë aspak mjedisin.

Kjo deklarohet nga Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili siguroi se stacionet energjetike që pritet të ndërtohen në disa qytete nuk ndotin mjedisin.

Lufter Xhuveli: “Prodhimi i energjisë në të ardhmen në jugun e Shqipërisë dhe kudo në Shqipëri duke shfrytëzuar energjinë e erës është një energji tepër miqësore me mjedisin është një energji e lakmueshme nga të gjitha vendet dhe Bashkimi Evropian ka caktuar objektiva që mbi 20% e energjisë që prodhohet në vendet e Bashkimit Evropian të prodhohet përmes energjisë së erës. Janë në Shqipëri gjer tani dhënë lejet për 19 subjekte që do të shfrytëzojnë energjinë e erës për të prodhuar energji elektrike”.

Në kuadër të mbrojtjes së mjedisit Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Reforma zhvilluan një tryezë të përbashkët, ku u diskutua për problemet aktuale të mjedisit në vend, si dhe përpjekjet për mbrojtjen e tij./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami