Vlora vijon të jetë nën pushtetin e reve të shtëllungave të tymit, që ka pushuar jo vetëm plazhin dhe zonën e Zvërnecit, por ka hyrë dhe në qendër të qytetit të Vlorës dhe është përhapur dhe në plazhet e tjera.

Gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba ka raportuar nga vendngjarja se puna për shuarjen e flakëve ka vijuar deri në mesnatë, ndërsa ka nisur sërish mëngjesin e sotëm. Për shuarjen e zjarrit, në vendin e ngjarjes janë 10 mjete të tonazhit të rëndë, si dhe disa mjete zjarrfikëse.

“Vatrat kryesore janë izoluar. Shpresat janë tek kushtet atmosferike, era që ka ndikuar negativisht për të bërë të mundur izolimin e këtyre reve që kanë pushtuar Vlorën. Mjetet e tonazhit të rëndë po punojnë duke marrë e duke hedhur dhera në vatra. Ka edhe mjete zjarrfikëse që po punojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit. Nuk ka një afat se kur mund të bëhet izolimi total i kësaj katastrofe mjedisore.”

Dyshohet që mund të kemi të bëjmë me një zjarrvënie nga dora e njeriut, e qëllimshme apo jo pritet të verifikohet nga institicionet.

Vendgrumbullimi i plehrave në Vlorë ka shpërthyer në flakë që prej mëngjesit të së premtes dhe tymi ka mbuluar të gjithë qytetin bregdetar, ku aktualisht pushojnë mijëra turistë, shqiptarë e të huaj. Ky skandal është një kronikë e paralajmëruar. Ka ndodhur kështu edhe një vit më parë.

Zgjidhja e problemit të plehrave në Vlorë rezulton se është mbajtur peng nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kjo ministri duhet të kishte miratuar kuadrin ligjor që në muajin Nëntor të vitit 2023 në mënyrë që të mundësonte operimin e landfillisht të Sherishtës, që do t’i jepte zgjidhje problemit të mbetjeve.

Në Nëntor 2023 u ndryshua kuardi ligjor për t’i transferuar përgjegjësitë për mbetjet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Ky ndryshim çoi në nevojën për të ndryshuar marrëveshjet e financimit për projektin. Pa këto marrëveshje, KFW nuk miraton as financimin e supervizorit dhe as përfundimin e pjesës të mbetur të punimeve në landfillin e Sherishtës. Po kanë kaluar 8 muaj dhe dokumentacioni ka kaluar në Këshillin e Ministave vetëm këtë javë, siç pohon kryetari i Bashkisë së Vlorës.

8 muaj për një VKM, e cila, nëse do të ishte miratuar në kohë do ta kishte evituar këtë katastrofë mjedisore dhe këtë pamje skandaloze, që përbën reklamën më të keqe të Shqipërisë turistike dhe ka vënë në vështirësi të gjithë qytetin bregdetar dhe autoritetet vendore.

Zgjidhja është vonuar edhe nga Ministria e Financave, pjesë e ndryshimit të kuadrit ligjor për të vënë në punë landfillin e Sherishtes. Miratimi në kohë i kuadrit ligjor do t’i kishte dhënë zgjidhte prej muajsh edhe katastrofën tjetër mjedisore me plehrat e Orikumit.

Plehrat që hidhen anës rrugës kombëtare që të çon në perlën e bregdetit shqiptar, e prezantojnë shumë shëmtuar mrekullin e bregut të jugut./tvklan.al